Rritja e temperaturave ka shtyrë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të bëjë thirrje për kujdes të shtuar në ruajtjen dhe trajtimin e ushqimeve.
AUV kërkon nga të gjitha bizneset që merren me prodhimin, përpunimin, transportin, deponimin dhe shitjen e ushqimit, si dhe restorantet, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe hotelet, që të respektojnë me përpikëri standardet e sigurisë ushqimore.
Sipas Agjencisë, produktet duhet të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, ndërsa pajisjet ftohëse dhe ngrirëse duhet të kontrollohen rregullisht për të shmangur prishjen e ushqimit.
Thirrje është bërë edhe për qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë blerjes, transportit dhe ruajtjes së ushqimeve në shtëpi, veçanërisht për produktet me prejardhje shtazore, të cilat janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta.
AUV ka paralajmëruar se gjatë verës do të intensifikojë inspektimet në të gjithë vendin dhe ka theksuar se çdo shkelje e rregullave të sigurisë ushqimore do të ndëshkohet.