Errët
Ndritshëm

Kuvendi zgjedh dy anëtarë të KGJK-së, një pozitë mbetet pa u plotësuar

24.04.2026
Kuvendi 21.07.2025 1

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb, në seancën e mbajtur këtë të premte.

Anëtar i KGJK-së nga komuniteti shqiptar është zgjedhur Bashkim Hyseni, ndërsa nga komuniteti serb është zgjedhur Ivana Milenkoviq. Ndërkohë, për pozitën e dytë nga komuniteti serb, procesi do të përsëritet, pasi asnjëri nga kandidatët nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme. Këtë e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Votimi është zhvilluar në mënyrë të fshehtë, nën mbikëqyrjen e një komisioni të përbërë nga deputetë të partive parlamentare. Kryesuesi i këtij komisioni, Bekë Berisha, ka njoftuar se në votim kanë marrë pjesë 109 deputetë.

Fillimisht, Komisioni për Legjislacion kishte propozuar dy kandidatë nga komuniteti shqiptar për një pozitë, si dhe katër kandidatë nga komuniteti serb për dy pozita. Nga radhët e komunitetit shqiptar në garë ishin Bashkim Hyseni dhe Ilire Vitija-Bajraktari, ndërsa nga komuniteti serb: Miljena Gjeriq, Zorica Petkoviq, Ivana Milenkoviq dhe Bovan Aleksiq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas Kushtetutës, përbëhet nga 13 anëtarë me mandat pesëvjeçar, të cilët zgjidhen nga radhët e gjyqësorit dhe Kuvendit.

Aktualisht, KGJK-ja është pa kryesues, pasi Albert Zogajt i ka përfunduar mandati, ndërsa detyrën e ushtrueses së detyrës e mban Arjeta Sadiku, në cilësinë e zëvendëskryesueses.

Errët
Ndritshëm