Errët
Ndritshëm

Kuvendi miraton anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes me 103 vota

24.04.2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në Bordin e Paqes, në një seancë të mbajtur më 24.04.2026, me gjithsej 103 vota pro.

Sipas njoftimit, Komisioni për Punë të Jashtme ka vlerësuar se ky bord, si organizatë ndërkombëtare, ka për qëllim promovimin e stabilitetit dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Deputetja e LVV-së, Arbresha Kryeziu-Hyseni, tha se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm do ta zgjerojë rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku vendi bën pjesë.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, e cilësoi këtë hap si interes të lartë shtetëror, duke thënë se ai forcon sigurinë kombëtare, orientimin euroatlantik të Kosovës dhe konsolidon aleancën me SHBA-në. Ai shtoi se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se nuk cenon sovranitetin e vendit dhe nuk obligon pjesëmarrje në misione pa pëlqim.

Në fund të seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri një deklaratë me tone ironike, duke thënë se: “Me këtë unitet të jashtëzakonshëm, ndoshta mund të zgjidhet edhe presidenti me të njëjtin votim”.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë kishte miratuar projektligjin më 22.04.2026, ndërsa më herët, më 19.02.2026, presidentja Vjosa Osmani kishte marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington. Në atë takim, Osmani kishte bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force ndërkombëtare për sigurinë në Gazë, pa obligime financiare.

Sipas planit të prezantuar, presidenti amerikan Donald Trump pritet të udhëheqë Bordin e Paqes, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së i ka dhënë mandat deri në vitin 2027, me fokus në stabilizimin dhe rindërtimin e Gazës.

Errët
Ndritshëm