Errët
Ndritshëm

Punëtori 26-vjeçar humb jetën në vendin e punës në Prizren

22.06.2026
Policia E Kosoves 720x405

Një 26-vjeçar ka humbur jetën të hënën në një vendpunishte ndërtimi në Prizren.

Rasti ka ndodhur në lagjen Arbana, ku viktima ishte duke punuar në një objekt në ndërtim. Sipas informacioneve fillestare, ai është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës gjatë procesit të betonimit.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente dhe është njoftuar prokurori kujdestar.

“Në koordinim me prokurorin dhe Inspektoratin e Punës, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se kjo është viktima e 13-të në vendin e punës që nga fillimi i këtij viti.

Errët
Ndritshëm