Errët
Ndritshëm

Kosova vazhdon serinë historike, Distria sjell të artën e radhës

16.04.2026
991e1ba2 6650 4610 Bbbf 654a639e6fb8

Distria Krasniqi ka konfirmuar dominimin në xhudo evropiane, duke u shpallur për herë të katërt kampione e Evropës, dhe për të tretin vit rresht.

Xhudistja kosovare triumfoi në Kampionatin Evropian që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë mposhti francezen Amandine Buchard. Krasniqi siguroi epërsinë herët me një “Yuko”, për ta kontrolluar më pas luftën deri në fund.

Me këtë sukses, Kosova vazhdon serinë mbresëlënëse prej 14 vitesh rresht me medalje në kampionate evropiane, duke arritur në total 26 medalje, prej tyre 10 të arta.

E favorizuar si bartëse e parë, Krasniqi nuk lejoi befasi gjatë rrugëtimit drejt finales. Ajo fillimisht mposhti çekën Tereza Bodnarova, ndërsa në çerekfinale kaloi polaken Aleksandra Kaleta, në të dyja rastet me “waza-ari”.

Në gjysmëfinale, përballë italianes Odette Giuffrida, lufta ishte e fortë dhe u vendos në kohën shtesë, ku Krasniqi fitoi me “Yuko”. Kjo ishte përballja e 13-të mes tyre, me kosovaren që tashmë numëron nëntë fitore.

Forma e saj mbetet e jashtëzakonshme, me medalje në 16 gara radhazi, ndërsa në karrierë ka fituar edhe medalje olimpike të artë dhe të argjendtë.

Në këtë Evropian garuan edhe Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq. Kasapi kaloi një raund, ndërsa Muminoviq u eliminua në xhiron e parë.

Garat vazhdojnë të premten me Laura Fazliun, Akil Gjakovën dhe Dardan Cenën, me pritje për medalje të tjera për Kosovën.

Errët
Ndritshëm