Errët
Ndritshëm

Dy persona në paraburgim pas përleshjes me armë në Ferizaj

13.04.2026

Gjykata Themelore në Ferizaj u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve për incidentin e dhunshëm në Ferizaj, ku u përdorën mjete të mprehta dhe armë zjarri.

Njëri nga të përfshirët në këtë rast është reperi Betim Januzi, i njohur si “Buta”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë dhe shqyrtimit të provave, ndërsa dyshimet për veprat penale konsiderohen të bazuara. Sipas dosjes së rastit, i dyshuari tjetër me inicialet E.H. ngarkohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. Dyshohet se pas një fjalosjeje të çastit në parkingun e një lokali, ai i është afruar viktimës me fjalët “ku je o B. mangupi”, përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë fizike.

Fillimisht, i dyshuari E.H. pretendohet se e ka goditur viktimën me dorezën e thikës në nofull dhe më pas ka tentuar ta godasë në kokë. Gjatë përpjekjes për t’u mbrojtur, viktima ka pësuar prerje në dorë dhe lëndime në krah. Nga ana tjetër, reperi Buta dyshohet për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas autoriteteve, gjatë përleshjes ai ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë dy herë në drejtim të tokës, duke rrezikuar jetën e personave përreth.

Policia ka bërë të ditur se një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përleshjes fizike, por jo nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, policia ka sekuestruar një armë zjarri dhe ka gjetur tri gëzhoja.

Errët
Ndritshëm