Errët
Ndritshëm

Murseli në gjykatë: Armën e blemë, Plava më tha se do ta shiste dyfish të nesërmen

26.03.2026

Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka deklaruar në gjykatë se arma me të cilën Prokuroria pretendon se është kryer krimi, ishte blerë bashkë me të akuzuarin tjetër, Granit Plava, me qëllim rishitjeje.

Sipas tij, ideja kishte qenë që arma të shitej më shtrenjtë.

“Në mbrojtjen tuaj keni deklaruar se armën e keni blerë spontanisht bashkë me Granit Plavën dhe se pagesën e keni bërë ju. A është e vërtetë?”, e ka pyetur kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

“Po. Sepse ai tha që e shet dyfish të nesërmën. Kjo ishte arsyeja, me atë qëllim e kam blerë”, është përgjigjur Murseli.

I pyetur se cili do të ishte përfitimi i tij nga kjo shitje, ai ka mohuar të ketë pasur interes financiar.

Murseli ka thënë se veprimi ishte bërë vetëm për ta ndihmuar Plavën, pasi e kishte bashkëfshatar dhe shok, ndërsa ka përmendur edhe lidhjen familjare me të akuzuarin tjetër, Kushtrim Kokalla.

Ai ka deklaruar se vetëm më vonë e kishte kuptuar se me atë armë ishte vrarë bashkëshortja e tij.

Gjatë seancës, gjyqtarja e ka ballafaquar me fotografi ku shihej e vrarë Liridona Ademaj, por Murseli ka refuzuar t’i shohë ato.

“Nuk mund t’i shoh ato fotografi”, ka thënë ai.

Në pyetjet e mëtejshme nga prokurori Dermaku, Murseli ka përsëritur pretendimin se natën kritike kishin qenë pre e një grabitjeje të armatosur.

Ai është pyetur edhe për arsyen pse kishte qëndruar në Prishtinë natën e vrasjes, ndërsa fëmijët i kishte lënë larg.

“Kur dolëm nga stacioni i policisë, më thanë të qëndroja në Prishtinë, ndërsa fëmijët i mori familja e Liridonës. Ata ishin dakord të shkonin”, ka deklaruar ai.

Murseli ka shtuar se nuk e kishte parë bashkëshorten të vrarë në veturë, por vetëm të nesërmen në morg.

“Kur kanë ndodhur krismat, nuk e kam kthyer kokën mbrapa, kam vazhduar të vrapoj”, ka thënë ai.

Errët
Ndritshëm