Errët
Ndritshëm

Gjykata refuzon sërish paraburgimin për tre shtetasit e Shqipërisë, rasti i 1 milion eurove në Mërdare

10.03.2026
Furgoni 1

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj tre shtetasve të Shqipërisë, të cilëve u ishin gjetur rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar në një furgon në pikën kufitare Mërdarë më 24 shkurt 2026.

Të dyshuar në këtë rast janë Aurel Kaziu, polic në Policinë e Shtetit në Tiranë, si dhe Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.

Sipas vendimit të 9 marsit, gjyqtari i procedurës paraprake, Leon Përlaska, ka vlerësuar se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Në vendim thuhet se kërkesa e prokurorisë është “e pazakontë”, pasi në të nuk përmendet dhe nuk paraqitet asnjë provë konkrete që mbështet pretendimet për veprën penale.

Gjykata ka theksuar se në dosje mungojnë dy dokumente kyçe: procesverbali i kontrollit të automjetit dhe vërtetimi për sekuestrimin e mjeteve monetare. Pa këto dokumente, sipas gjyqtarit, nuk mund të vërtetohet as nëse paratë janë sekuestruar dhe as lidhja e tyre me të dyshuarit.

Po ashtu, të tre të dyshuarit kanë mohuar se kanë pasur dijeni për ekzistimin e parave në automjet. Gjykata ka vlerësuar se provat e paraqitura nga prokuroria nuk janë të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e bazuar ndaj tyre.

Errët
Ndritshëm