V. P., 37 vjeç, i dënuar me 9 vjet e 4 muaj burgim për trafikim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar nga Policia e Shqipërisë.
Ai u kap gjatë operacionit të koduar “Targeti”, në fshatin Pishkash, pas sigurimit të informacionit mbi vendndodhjen e tij. Në momentin që ka vërejtur praninë e policisë, ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe vënë në pranga nga forcat e rendit.
Arrestimi u realizua nga shërbimet operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e kishte dënuar V. P. për veprat penale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga dënimi i përgjithshëm, atij i mbeten për të vuajtur edhe 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burg.
Pas arrestimit, V. P. do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për procedurat e mëtejshme.