Juventus bëri një rikthim të madh ndaj Romës, duke barazuar 3-3 pasi ishte në disavantazh 1-3 deri në minutën e 78-të. Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti reagoi fuqishëm dhe arriti të shmangë humbjen me gola në minutat e fundit.
Pas ndeshjes, Spalletti u shpreh i kënaqur me reagimin e ekipit, por jo me paraqitjen në pjesën e parë. Ai theksoi se skuadra ishte shumë e ngadaltë në momentet kur pranoi golat e dytë dhe të tretë, duke e vënë veten në një situatë të vështirë.
“Kur je 66 vjeç, si unë, e kupton se duhet gjithmonë të besosh, dhe këtë duhet t’ua përcjellësh edhe lojtarëve. Ka shpërthime entuziazmi që vijnë në momente të aftësisë individuale. Boga ka intuitë dhe mund të krijojë një moment nga asgjëja, ashtu si Kenan Yildiz dhe Zhegrova. Duhet të besojmë gjithmonë, në sport dhe në jetë,” – shtoi Spalletti.
Aktualisht, Juventusi renditet në vendin e gjashtë, vetëm katër pikë larg vendit të katërt që mban Roma, ndërsa gara për një vend në Ligën e Kampionëve pritet të jetë e fortë deri në fund të sezonit.