Edhe tentimi i 51-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka dhënë asnjë rezultat. Ndryshe nga herët tjera, sot nuk është hedhur në votim fare konstituimi i Kuvendit.
Kjo pasi pati një përplasje mes kryesuesit të seancës, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.
Fillimisht Dehari i kërkoi regjisë t’ia ndalë fjalën Musliut duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit që nuk ka hapësirë për debat. Kjo e fundit ia mori mikrofonin Deharit për ta vazhduar fjalimin e duke i kërkuar që të mos i ndërpritet fjala.
Dehari mbylli seancën duke thënë se nuk ka kushte për vazhdimin e saj.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të premten në orën 11:00.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Pas tri ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.