Futbollisti i Vushtrrisë, Erjon Morina, ka vdekur të enjten, pasi për më shumë se një muaj ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën Intensive.
Vdekjen e 22-vjeçarit e ka konfirmuar babai, Iliri, në një status në Facebook.
“Pas perpjekjeve të vazhdueshme të stafit te Intenzives në Kardiokirurgji, Erjoni sot iu dorezua botes tjeter, Allahu e meshirofte“, ka shkruar Ilir Morina.
Në fund të tetorit, Morina kishte mbetur i shtrirë në fushë gjatë stërvitjeve me Vushtrrinë. Që atëherë, po trajtohej në QKUK.
22-vjeçari ka luajtur për disa klube të mëdha në Kosovë, si Llapi, Prishtina, Drenica, Malisheva, Ulpiana dhe së fundmi te Vushtrria.
Reagime të shumta ka pasur nga ish-klubet e tij dhe klubet tjera kosovare, duke shprehur ngushëllime dhe dhimbje pas kësaj ngjarjeje.