Errët
Ndritshëm

Rama: Globe Soccer mund të vijë në Tiranë, çmimi për Lamine Yamal jepet këtu

10.06.2025
640 0 1720093945xedi Rama 400

Tirana mund të bëhet skena e një prej eventeve më të rëndësishëm të futbollit evropian. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është në bisedime për të pritur edicionin kontinental të Globe Soccer Awards, një ceremoni prestigjioze ku nderohen yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

Gjatë rubrikës së tij javore “Sy më Sy” në rrjetet sociale, Rama tha se Tirana dhe Madridi janë dy qytetet që po shqyrtohen nga organizatorët për të pritur edicionin evropian të Globe Soccer Awards, i cili zakonisht zhvillohet në Dubai.

Jemi në diskutim për të sjellë në Tiranë, në Shqipëri por me 95% në Tiranë edicionin evropian të Globe Soccer Awards, të çmimit të globit të futbollit. Është një eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme, sa i përket edicionit të vetë global në Dubai dhe për edicionin evropian organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne,” – u shpreh Rama.

Sipas tij, vetëm pak vite më parë ngjarje të tilla do të ishin të paimagjinueshme për Shqipërinë, por tashmë vendi po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare të sportit dhe kulturës.

Dikur evente të tilla ishin të paimagjinueshme, por propozimet po na vijnë edhe vetë tani. Kemi shumë arsye të besoj që zgjedhja do bie mbi ne dhe do të jetë fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer, Lamine Yamal fjala vjen, t’ia japim këtu në Tiranë,” – theksoi kryeministri.

Globe Soccer Awards është një event i përvitshëm ku shpërblehen lojtarët, trajnerët dhe klubet më të spikatura të vitit në botën e futbollit. Deri tani, ceremonia është zhvilluar në Dubai dhe ka tërhequr figura të mëdha të futbollit si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Pep Guardiola e të tjerë.

Nëse Tirana fiton garën me Madridin, do të ishte hera e parë që ky event zhvillohet në një vend të Ballkanit, çka do të shënonte një moment historik për sportin dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Errët
Ndritshëm