Kosova ia shiti konsorciumit “Limak & Çalik” distribucionin shpërndarës të rrymës për vetëm 26.3 milionë euro në vitin 2013. Asokohe, nënshkrimet në kontratë i hodhën Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj dhe përfaqësues të konsorciumit turk. Pas tyre shihej Bedri Hamza, i cili tani garon për kryeministër. Pazarxhiu kryesor ishte Hashim Thaçi, kryeministër.
Shitja ishte realizuar pa ndonjë analizë të mirëfilltë të vlerës së ndërmarrjes, pasi sasia e parave të shpenzuara vetëm në pesë vitet e fundit në mirëmbajtjen, forcimin dhe zgjerimin e këtij rrjeti ishte më e lartë se shuma e përgjithshme e shitjes.
Konsorciumi “Çalik & Limak” e privatizoi këtë aset publik të Kosovës në vlerë shumëfish më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Mali i Zi e shiti distribucionin për 380 milionë euro, ndërsa Maqedonia për 280 milionë euro. Edhe Shqipëria e kishte shitur me një çmim të përafërt distribucionin.
Një studim shkencor, i realizuar nga Florin Aliu, njohës i ekonomisë, vlerësonte se Qeveria e Kosovës ua kishte shitur Distribucionin e Energjisë Elektrike investitorëve turq 182 milionë euro më pak se vlera reale që kishte kjo ndërmarrje. Sipas tij, kompania që u shit për vetëm 26 milionë euro, mund të ishte shitur pa problem për 208 milionë euro në kohën e privatizimit.
Sipas studimit, është konfirmuar se për çdo investim të realizuar në KEDS, mundësia e kthimit në investim është menjëherë brenda vitit pasues dhe me një shkallë shumë të lartë. Si shembull, studimi ka marrë investimin e 1 milion eurove. Po të investoheshin këto mjete në KEDS, në bazë të matjeve shkencore, ka rezultuar se shkalla e kthimit është 3,544%.
Albin Kurti, në opozitë, ishte kritik para dhe pas pazarit energjetik. Ja se çka kishte thënë saktësisht më 5 korrik të vitit 2012:
“Këtë privatizim do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”, ishte premtimi i Albin Kurtit.
Por, ai nuk e luftoi privatizimin. Rrejti. Kur u ul në karrigen e kryeministrit, Kurti takoi pronarët miliarderë të KEDS-it në tetor të vitit 2023. (Shihni fotografinë 2). Me Nihat Özdemirin dhe Ahmet Çalikun, ai foli për mundësitë e përparimit ekonomik të Kosovës. Nuk i luftoi, pa pushim, pa kursim, përgjithmonë.
Para një dekade, deklaronte se kush bashkëpunon me ta është njeri i shitur dhe paçavër.
“Sepse kaq keq dhe kaq lirë KEK-un mund ta shesin vetëm njerëzit e shitur. Këta njerëz të shitur nuk e kanë vendin në Qeveri, por e kanë vendin në burg për krimin që ia bënë shoqërisë dhe pronës publike”, kishte thënë Kurti në vitin 2012.
Distribucioni i energjisë, KEDS/KESCO, nuk po e përmbush tash e disa vjet obligimin për furnizimin e qytetarëve 24 orë me energji elektrike. Po ankohet për mbingarkesë të rrjetit.
Por, shitja ishte bërë – të paktën formalisht – pikërisht për të kapërcyer këtë telashe dhe të tjera. Pra, ishte bërë për përmirësimin e shërbimeve për konsumatorët e Kosovës, për çka parashiheshin mbi 300 milionë euro investime në sistem brenda 15 viteve.