Trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina, është pajisur sot me licencën UEFA Pro, licencën më të lartë për trajnerë në futboll.
Në një ceremoni solemne të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, janë shpërndarë licencat UEFA Pro për trajnerët që përfunduan kursin njëvjeçar.
Në një postim në Facebook, kryetrajneri i “KF Llapit” theksoi se qëllimi i tij është të kontribuojë në Kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës, duke ndihmuar në kualifikimet për kampionatet europiane dhe botërore. Gjithashtu, ai ka shprehur dëshirën për të drejtuar në të ardhmen një skuadër në Evropë.
Postimi i plotë i Batatinës:
Të dashur familjarë e miq,
Dua t’iu njoftoj se nga sot jam pajisur me licencën UEFA Pro.
Së pari, dua të falënderoj familjen time për mbështetjen e pakushtëzuar, që ma bëri të mundur realizimin e ëndrrës sime profesionale. Me përkushtim dhe punë të pandalshme, arrita të pajisem me licencën më të lartë për trajnerë, UEFA Pro. Ky është një moment historik për karrierën time, të cilin e ndava me njerëzit që më kanë mbështetur gjithmonë.
Falënderoj vëllezërit e mi, duke filluar nga Presidenti i klubit, kryesinë, sponsorët, adhuruesit e Llapit dhe fansat e mi, që më kanë mbështetur pa u lodhur. Ju dua dhe ju premtoj se një ditë do të ndiheni krenarë me mua, teksa synoj të çoj futbollin shqiptar në nivelet më të larta.
Një falënderim i veçantë shkon për Federatën e Futbollit të Kosovës, për besimin dhe mbështetjen që më dha për të ndjekur këtë rrugë, si dhe për Federatën e Futbollit të Shqipërisë, që nga kursi bazik e deri te niveli Pro, ku u shkollova dhe u përgatita në mënyrën më të mirë për t’u bërë një trajner profesionist.
Nga sot, qëllimi im është t’i shërbej futbollit kombëtar shqiptar, kudo që ka hapësirë, dhe të punoj që një ditë të drejtoj një skuadër të mirë evropiane. Në një të ardhme të afërt, ëndrra ime është të ndihmoj kombëtaret tona shqiptare që të kualifikohen në eventet më të rëndësishme evropiane e botërore. Ky është misioni im si trajner!
Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me mua në këto 12 vite: ndihmësit e mi, stafin tim të ngushtë dhe të gjithë lojtarët që kanë kontribuar në këtë udhëtim të gjatë. Jam krenar për disa prej tyre që sot shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare dhe përfaqësojnë me dinjitet kombëtaret tona shqiptare.
Faleminderit nga zemra të gjithëve që kanë qenë pjesë e kësaj rruge. Ky sukses është edhe i juaji!
Me respekt,
I juaji, Tahir Batatina