Fiorentina ka lëshuar një deklaratë në lidhje me gjendjen e lojtarit të ekipit, Edoardo Bove. Kujtojmë se në minutën e 17-të të ndeshjes së Serisë A kundër Interit, mesfushori i Fiorentinës ra në tokë pasi humbi ndjenjat. Lojtari 22-vjeçar mori ndihmë mjekësore për një periudhë të gjatë dhe më pas u transportua me autoambulancë. Ndeshja u shty. Më vonë u bë e ditur se lojtari pësoi një krizë epileptike që çoi në arrest kardiak dhe u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.
Fiorentina, përmes Facebook, raporton se Edoardo Bove ka kaluar një natë të qetë, është zgjuar në mëngjes dhe i është nënshtruar ekstubimit (heqjes së tubave të frymëmarrjes).
“Aktualisht, ai është i vetëdijshëm, vigjilent dhe i ndërgjegjshëm për situatën. Ai ka folur me familjen, drejtuesit e klubit, trajnerin dhe shokët e skuadrës, të cilët e rrethuan sapo morën lajmin e mirë. Në ditët në vijim do të kryhen ekzaminime shtesë për të përcaktuar shkaqet që çuan në situatën kritike të ndodhur ditën e djeshme”, thuhet në njoftimin e klubit.
Mjekët konfirmojnë se hetimet diagnostike janë në vazhdim. Fiorentina shpreh mirënjohjen për Spitalin Universitar Careggi, mjekët dhe stafin për punën e tyre me humanizëm dhe profesionalizëm. Klubi gjithashtu falënderon tifozët dhe komunitetin e futbollit për shqetësimin dhe mbështetjen e madhe gjatë këtij momenti delikat. Mesazhet dhe mbështetja kanë sjellë ngushëllim të madh për klubin, Edoardo dhe familjen e tij.