Vitet e hakmarrjes u zgjidhen në vetëm një javë. Brenda pak ditësh, Liverpooli fshiu borxhet e papaguara me Real Madridin, të cilin e mposhti 2-0 në Champions League, një fitore që nuk e kishin arritur që nga viti 2009 dhe me Man City në Premier League me një tjetër fitore 2-0. “Të kuqtë”, pasi u përballën me armiqtë e tyre europian në mesjavë, u hakmorën me skuadrën që i kishte grabitur dy titujt e ligës me një pikë të vetme, duke përkeqësuar më tej krizën e Pep Guardiolës, i cili nuk ka shijuar fitoren në shtatë përballjet e fundit (gjashtë humbje dhe një barazim).
Në Anfield, tifozët e Liverpoolit ironizuan me trajnerin spanjoll duke brohoritur: “Ti do të shkarkohesh në mëngjes“, por ai iu kthye tifozëve duke ua kujtuar se ka fituar 6 tituj në Premier League që nga mbërritja në City, krahasuar me një të Liverpoolit.
“Jam shumë krenar për gjashtë titujt e mi në Premier League! Nuk e prisja këtë në Anfield. Nuk prisja që ata do këndonin që unë do shkarkohesha në mëngjes. Thjesht doja t’u kujtoja se kam më shumë tituj në Premier League sesa klubi i tyre“, u tha ai gazetarëve.
Pas arritjes së Arne Slot në Liverpool, shumë kush mendoi se detyra e tij për ta zëvendësuar një legjendë si Jürgen Klopp do të ishte e ndërlikuar, por rezultatet tregojnë të kundërtën. Liverpool ka fituar 11 nga 13 ndeshjet në Premier League dhe ka fituar 7 ndeshje në kompeticionet evropiane dhe vendase.
“E dija që Jürgen e la ekipin në një vend shumë të mirë, por megjithatë të fitosh kaq shumë me të gjitha skuadrat e vështira me të cilat jemi përballur tashmë është diçka që nuk mund ta parashikoje para sezonit,” tha Arne Slot.
Me fitoren ndaj Cityt, Liverpooli mban një avantazh prej 11 pikësh ndaj skuadrës së Guardioles dhe nëntë më shumë se Chelsea dhe Arsenalit, të cilët aktualisht janë sfiduesit e tyre më të afërt.