“Shko preje atë mjekër”, më tha dikush në storjen e parë ku paraqitesha si gazetar, ky dikush i cili do të përfaqësonte edhe qindra të tjerë që do të vërshonin me komente si të tij në vijimësi.
Përgjatë një viti nuk pata kohë, megjithatë sot vendosa t`ua jap një përgjigje, nëse akoma e mbajnë atë mendim.
PO, do të prejë diçka, ama jo mjekrën. Po e prej “shiritin” e një suksesi, që ka të bëjë me lansimin e uebfaqes – www.shënjestër.net – produkt i ri që vjen në njëvjetorin e themelimit të mediumit. Unë bashkë me kolegët e mi – para këtij momenti – kemi prerë dallaveret e institucioneve e mosgatishmërinë e tyre, për t`u dalë në ndihmë qytetarëve.
Shënjestër nisi punën si projekt më 21 tetor 2023.
Njohës të fushës së medias ndoshta nuk e besuan se do të gjenim një shteg për të depërtuar në tregun e ashpër medial në Kosovë. Megjithatë, pak kishte rëndësi zëri i tyre, ishte krejtësisht periferik.
Ajo që na nevojitej ishte ajo edhe për të cilën nisëm si projekt: përqafimi i publikut me përmbajtjet tona, edhe i atyre që fillimisht na sulmuan për mjekra. Pa kaluar shumë kohë, diçka e tillë u arrit. Një publik, me shifra milionëshe, u familjarizua shpejt me prodhimet tona. Arsyeja ishte stili ynë, i dallueshëm lehtësisht nga mediat e tjera. Pak ironi nëpër storje, kapak edhe humor, por pa rrezikuar asnjëherë të vërtetën. Raportuam saktë e shpejt, mbuluam të gjitha fushat nga politika, ekonomia, prokurimi publik, sporti e teknologjia.
Ishte nder dhe privilegj që për një vit kemi qenë pranë halleve të qytetarëve dhe të presim me orë të tëra para institucioneve që problemi i tyre të gjejë epilog. Ishim dhe jemi adresë e tyre edhe sot, sepse për ne besimi i publikut është thelbësor.
Fundja, një medium pa një publik që i beson nuk ka jetëgjatësi në industrinë mediale. Publiku është baza e bash për këtë arsye qëndrojmë mbi themele të forta.
Faleminderit për vitin e parë. Na pret një rrugëtim i bukur së bashku në vitin e dytë, nëse don Zoti!