Errët
Ndritshëm

Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Fikrim Damkës

21.10.2026

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fikrim Damka, shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë atë.

Damka, në kohën kur ishte ministër i Zhvillimit Rajonal, dhe Besim Kamberaj, ushtrues detyre i sekretarit të kësaj ministrie, dyshohen se ua mundësuan në mënyrë të kundërligjshme përfitimin e rreth një milion eurove organizatave “Caritasit Zviceran” dhe “Germin”, gjatë viteve 2021–2022.

Prokuroria Speciale i ngarkon të dy me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Apeli ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë për pushimin e procedurës ishte marrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale dhe se kishte shkelje esenciale të përcaktuara në nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas Apelit, në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen, ndërsa provat janë mbledhur dhe siguruar në përputhje me ligjin.

Konfirmimi i aktakuzës nuk nënkupton se Damka dhe Kamberaj janë shpallur fajtorë. Procedura penale ndaj tyre vazhdon.

Errët
Ndritshëm