Kupa e Botës 2034, e planifikuar të mbahet në Arabinë Saudite, mund të shtyhet për vitin 2035, raporton “The Athletic”.
Turneu ishte planifikuar të zhvillohej gjatë dimrit për shkak të temperaturave ekstreme në këtë vend.
Megjithatë, Ramazani bie në muajt nëntor dhe dhjetor të atij viti, çka ka bërë që të shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së garës në fillim të vitit 2035.
Datat zyrtare të turneut ende nuk janë publikuar. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se po shqyrtohen të gjitha periudhat e mundshme për organizimin e Botërorit.
“Ne tashmë po i studiojmë detajet dhe po diskutojmë vazhdimisht me të gjitha palët e interesuara. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një Kupë Bote, por edhe me një shqyrtim më të gjerë të situatës”, ka thënë Infantino.
Ai ka përmendur edhe temperaturat e larta në disa vende të Evropës gjatë muajit korrik, duke sugjeruar se duhet të shqyrtohen muajt më të përshtatshëm për futboll.
“Ndoshta duhet të mendojmë se cilët muaj janë më të përshtatshëm për futbollin. Në Evropë, ky është qershori. Por ne nuk e përdorim aq shpesh këtë muaj, apo jo? Ndoshta ka mënyra për ta optimizuar kalendarin dhe këtë po e diskutojmë. Duhet vetëm të jemi të hapur ndaj ideve të reja”, ka deklaruar ai.
FIFA është përballur më herët me kritika për organizimin e Kupës së Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara dhe Botërorit 2022 në Katar, ku futbollistët kishin raportuar vështirësi për shkak të temperaturave të larta.