Barcelona dhe Manchester City kanë arritur marrëveshje për transferimin e Rodrit te klubi katalanas.
Negociatat mes dy klubeve zgjatën rreth dhjetë ditë, ndërsa Barcelona e nisi ofertën me 45 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse. Në anën tjetër, City kërkonte 90 milionë euro për mesfushorin.
Pas disa raundeve negociatash, Barcelona e rriti ofertën pesë herë, ndërsa Manchester City uli gradualisht kërkesat.
Marrëveshja përfundimtare kap vlerën totale prej 76.5 milionë eurosh. Barcelona do të paguajë 60 milionë euro si shumë fikse, ndërsa 11 milionë euro janë bonuse lehtësisht të arritshme dhe 5.5 milionë euro bonuse të tjera më komplekse.
Rodri pritet të përfitojë 15 milionë euro neto në sezon te Barcelona. Te Manchester City, ai fitonte rreth 11 milionë euro.
Lojtari pritet të udhëtojë drejt Barcelonës të hënën, ndërsa kontratat janë në fazën finale të përgatitjes.
Barcelona synon që gjithçka të përfundojë me kohë, në mënyrë që Rodri të prezantohet para tifozëve në ndeshjen e Trofeut Gamper të mërkurën e ardhshme.