Një 15-vjeçar nga Dragashi ka treguar ndershmëri duke dorëzuar në polici një kuletë me para dhe dokumente që e kishte gjetur në rrugë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 18 qershor në rrugën Dragash-Brod, afër fshatit Kukajan.
I mituri ishte duke lëvizur me biçikletë kur hasi në një kuletë të humbur, brenda së cilës ndodheshin dokumente personale dhe 153 euro para të gatshme.
Ai e dorëzoi menjëherë kuletën në Stacionin Policor në Dragash, ndërsa policia, falë dokumenteve të gjetura, arriti ta identifikojë dhe kontaktojë pronarin.
Një ditë më vonë, pronari u paraqit në stacion policor, ku mori kuletën dhe sendet e tij, duke falënderuar 15-vjeçarin për veprimin e ndershëm dhe policinë për angazhimin në kthimin e tyre.