Në vazhdim të aksionit antidrogë në Ferizaj, janë zbuluar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në tentativë për fshehjen e provave.
Fillimisht, më 22 prill rreth orës 21:00, njësitë e DHTN-së kanë arrestuar në flagrancë një të dyshuar, tek i cili janë gjetur disa qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Pas arrestimit, hetimet kanë çuar në dyshime se një sasi më e madhe e narkotikëve ishte larguar nga shtëpia e tij nga persona të tjerë, me qëllim fshehjen e provave.
Pas veprimeve intensive hetimore, policia ka identifikuar dhe lokalizuar dy të dyshuarit, të moshës 30 dhe 33 vjeç.
Sipas dyshimeve, ata kanë marrë substancën narkotike nga shtëpia e të arrestuarit fillestar dhe e kanë fshehur në një depo në rrugën “Rifat Berisha” në Ferizaj, e cila dyshohet se është pronë e njërit prej tyre.
Gjatë kontrollit në këtë lokacion, policia ka sekuestruar mbi 700 gram marihuanë, si dhe një peshore digjitale që dyshohet se është përdorur për ndarjen e dozave.
Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar, nëse do të shpërndahej në treg, do të kapte vlerën rreth 3,800 euro.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti po vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse në Ferizaj.