Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar për rrëmbimin dhe sulmin fizik ndaj një 32-vjeçari, me qëllim përfitimin financiar.
Rasti u zbulua pas kallëzimit të viktimës, e cila deklaroi se ishte marrë me forcë nga tre persona dhe ishte mbajtur për disa orë në një ambient privat në Xhafzotaj. Gjatë kësaj kohe, ndaj tij ishte ushtruar dhunë fizike dhe kanosje. Operacioni policor i koduar “Hijet” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe njësinë “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë.
Sipas Policisë, në kuadër të këtij operacioni u arrestuan dy persona të moshës 33 dhe 25 vjeç, ndërsa një i tretë, 28 vjeç, është shpallur në kërkim. Hetimet fillestare tregojnë se të dyshuarit e kanë futur me forcë viktimën në një automjet dhe më pas e kanë mbajtur të izoluar, duke ushtruar presion psikologjik dhe dhunë fizike me qëllim zhvatjen e një shume parash.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi pesë automjete, pesë telefona celularë, një shumë parash dhe sende të tjera të kundërligjshme që dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Autoritetet bënë të ditur se po vijon puna për kapjen e personit të tretë, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.