Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet këtë të hënë. Sipas njoftimit, nafta (dizeli) mund të shitet deri në 1.84 euro për litër, benzina deri në 1.44 euro, ndërsa gazi deri në 0.89 euro për litër.
Këto çmime kanë mbetur të njëjta me ato të ditës së diel. Ndërkohë, të shtunën, dizeli ishte shitur deri në 1.86 euro, benzina 1.44 euro dhe gazi 0.85 euro për litër.
Qytetarët mund t’i adresojnë ankesat e tyre në e-mail adresën konsumatori@rks-gov.net ose në numrin pa pagesë 0800 11000.
Ndërkohë, opozita në Kuvend ka kërkuar heqjen e akcizës ose të TVSH-së për derivatet, duke argumentuar se një masë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e çmimeve në treg. Megjithatë, deputetja e shumicës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se një vendim i tillë nuk do të reflektonte te qytetarët, por do të favorizonte operatorët ekonomikë dhe do të dëmtonte buxhetin e shtetit.
LDK-ja, me përkrahjen e PDK-së dhe AAK-së, ka paraqitur një rezolutë lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë, por ajo nuk është votuar si pasojë e mungesës së kuorumit.
MINT-i më herët ka përcaktuar edhe marzhën tregtare të fitimit për shitjen e derivateve, e cila është 2 centë për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë në pakicë.