Barcelona pësoi një humbje të thellë, duke u mposhtur 4-0 nga Atletico Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Nën presionin e madh të “Los Colchoneros”, katalanasit u shpartalluan që në pjesën e parë, duke humbur kontrollin e lojës. Në pjesën e dytë tentuan të reagojnë, por gjithçka rezultoi e kotë përballë një Atleticoje të vendosur.
Pas ndeshjes, mbrojtësi Eric Garcia u shfaq optimist për një përmbysje në takimin e kthimit.
“Kanë mbetur edhe 90 minuta. Do të luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë në Camp Nou, me ekipin që kemi dhe me lojtarët që mund të rikthehen. Nuk kam asnjë dyshim se mund ta përmbysim rezultatin”, u shpreh ai për Foot Mercato.
Megjithatë, Garcia nuk do të jetë pjesë e sfidës së kthimit më 3 mars, pasi u përjashtua në minutën e 86-të pas një ndërhyrjeje ndaj Alex Baena.