Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, dha një opinion që e pashë në Klan Kosova. Kundërpërgjigje ndaj rrenave të saj. Paragraf, gati, pas paragrafi.
Pretendimi i parë i saj:
“Në një botë gjithnjë e më shumë të drejtuar nga narrativat sesa nga faktet, e vërteta shpesh bëhet viktima e parë e luftës. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushatën groteske të dezinformimit që pretendon se në Gaza po ndodh një uri masive, e shkaktuar qëllimisht nga Izraeli si një mjet lufte, një akuzë që ka marrë formën e një shpifjeje moderne gjakderdhëse kundër shtetit hebre”.
Kundërpërgjigjja ime:
Nuk janë pretendime. Izraeli ka orkestruar uri masive. Kjo është e vërteta. Këtu janë faktet:
– Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) thotë se nivelet e urisë dhe kequshqyerjes në Gaza janë më të lartat e regjistruara ndonjëherë, me më shumë se një të tretën e popullsisë që qëndron pa ushqim për ditë të tëra dhe 500,000 njerëz në prag të urisë.
– Numri total i vdekjeve nga uria e rëndë tani është 222, përfshirë 101 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
– Sipas një deklarate të ekipit humanitar të OKB-së në maj, për 9 javë rresht autoritetet izraelite patën bllokuar plotësisht të gjitha furnizimet jetësore nga hyrja në Gaza, përfshirë ushqimet, ujin dhe ndihmën mjekësore. Kjo bëri që furrat dhe kuzhinat komunitare të mbyllen, ndërkohë që depozitat tashmë ishin bosh.
Pretendimi i dytë i saj:
“Narrativa e një “urie në Gaza” është kthyer në një fushatë të mirëorganizuar, e amplifikuar nga Hamasi dhe sponsorët e tij në Katar dhe e përsëritur pa kritikë nga mediat kryesore perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Edhe pse ekzistojnë vështirësi humanitare, si në çdo zonë lufte, kjo fushatë i ka ekzagjeruar, manipuluar dhe instrumentalizuar këto realitete me qëllim që të përmbysin rolet e viktimës dhe agresorit. Qëllimi: demonizimi i Izraelit, pastrimi i krimeve të Hamasit dhe shmangia e vëmendjes nga uria e vërtetë, e shkaktuar me qëllim nga Hamasi, jo ndaj civilëve të Gazës, por ndaj pengjeve izraelite që mbahen në burgjet e tij prej gati dy vitesh”.
Kundërpërgjigjja ime:
Ekziston një fushatë. Është e vërtetë. Një fushatë që palestinezët e pafajshëm të lejohen të ushqehen.
Nuk çuditem që ju pengojnë mediat. Po të kishit mundësi, do ta bënit, siç keni bërë në Gaza, duke i vrarë. I keni mbytur rreth 200 punonjës të medias, shifër rekorde, e paprecedentë ndonjëherë në histori.
Që nga 12 gushti 2025, hetimet paraprake të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) treguan se të paktën 192 gazetarë dhe punonjës të medias ishin mes dhjetëra mijëra të vrarëve në Gaza, Bregun Perëndimor, Izrael dhe Liban që nga fillimi i luftës, duke e bërë këtë periudhën më vdekjeprurëse për gazetarët që kur CPJ filloi të mbledhë të dhëna në vitin 1992. A e dini pse e keni bërë këtë? Pikërisht për të mbuluar urinë dhe çdo të zezë që bëni ndaj palestinezëve.
Sa i përket shmangies së vëmendjes, le të qëndrojmë te vëmendja. Ja, lexojeni: FAO dhe OKB raportuan se 86% e tokave bujqësore në Gaza janë të dëmtuara, ndërsa vetëm 1.5% mbetet e aksesueshme dhe e paprekur. Kjo situatë është përshkruar si një shkatërrim i sistemit lokal të ushqimit.
Pretendimi i tretë i saj:
“Një investigim i publikuar nga tabloidi gjerman Bild më 5 gusht, tregon se si imazhe të inskenuara, video të montuara dhe raporte të fabrikuara janë përdorur për të ndërtuar një imazh të rremë të urisë së përhapur të shkaktuar nga Izraeli. E vërteta, megjithatë, është krejtësisht e kundërta. Një tjetër hetim i thelluar i publikuar së fundmi nga platforma Jewish Onliner gjurmon origjinën e kësaj fushate si pjesë e një përpjekjeje të mirëkoordinuar për manipulim mediatik global. Ky kërkim zbulon se fushata “#GazaIsStarving” është një operacion i organizuar dezinformimi i udhëhequr nga vende arabisht-folëse – veçanërisht Katari, Arabia Saudite dhe Jemeni – me qëllim ndikimin e opinionit publik anglisht-folës kundër Izraelit. Edhe pse fushata paraqitet si një reagim humanitar i sinqertë, hetimi tregon se ajo amplifikohet përmes entiteteve të lidhura me shtetin, ndikuesve të propagandës (si zyrtarë të regjimit iranian dhe individë të lidhur me Hamasin), dhe strategjive ndërgjuhësore në rrjetet sociale për të maksimizuar rezonancën emocionale, veçanërisht në Perëndim”.
Kundërpërgjigjja ime:
Artikulli i Bild, që i referohesh, merr për bazë vetëm një fotograf. Nuk paraqet asnjë fakt.
Për më tepër, nëse vërtet po i beson artikullit të Bild, aty e ke një shuplakë brenda tekstit. Në një paragraf shkruan: “Fotot e tij – të botuara nga ‘Stern’, ‘New York Magazine’, CNN dhe BBC, Deutschlandfunk, ‘Junge Welt’ dhe madje edhe BILD – preferojnë të përshkruajnë kaosin dhe shkatërrimin. Dhe mbi të gjitha, fëmijët, nënat dhe vuajtjet në pamje të afërta dhe me ndriçim të përsosur. Në të vërtetë, vuajtjet e civilëve në Gaza janë të jashtëzakonshme. Shumë njerëz janë vrarë në luftën e Hamasit kundër Izraelit dhe shumë të tjerë po vdesin urie”.
Pra, edhe BILD e pranon që po vdesin njerëz nga uria. Sidoqoftë, Bild është vlerësuar si media me më së shumti kritika nga Këshilli i Shtypit në Gjermani për etikë dhe saktësi gazetareske, teksa është kritikuar për raportim të pasaktë në këtë çështje.
Pretendimi i katërt i saj:
“Gjithashtu, një tjetër analizë e publikuar nga përdoruesi @antisemitism (“Fushata Kundër Antisemitizmit”) dëshmon se hashtagë si “FamineinGaza”, “HelpGaza” apo “GazaHolocaust” janë përdorur në mënyrë masive dhe janë promovuar nga fabrika bot-ësh për t’i bërë këto hashtagë të jenë ndër më të përhapurit në platformën X (dikur Twitter). Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza në përmasa të paprecedenta, edhe pse është i angazhuar në një konflikt të përgjakshëm në shtatë fronte. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore, energjia elektrike dhe karburanti kanë hyrë në Gaza përmes disa pikave kufitare. Izraeli ka bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Programin Botëror të Ushqimit, për të siguruar që korridoret humanitare të mbeten të hapura”.
Kundërpërgjigjja ime:
Dy kundërpërgjigjet e mia të mëparshme vlejnë plotësisht edhe për këtë pretendim tuajin, ku ju fantazoni.
Pretendimi i pestë i saj:
“Megjithatë, Hamasi vazhdon të konfiskojë, plaçkitë dhe shpërndajë ndihmat në mënyrë selektive, duke e përdorur urinë si një armë kontrolli, propagande dhe përfitimi personal, me synimin për të mbushur më tej llogaritë tashmë të fryra të liderëve miliarderë të tij. Kjo realitet u ekspozua qartë në fjalimin emocional të Ministrit të Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 gusht. Ministri Sa’ar foli hapur për mënyrën se si Hamasi ka uritur qëllimisht pengjet izraelite si Evyatar David dhe Rom Braslavski, tani hije të vetes së tyre, që nga rrëmbimi i tyre më 7 tetor, ndërkohë që terroristët e Hamasit hanë mish, peshk, perime dhe fruta të freskëta. Në një imazh tronditës, krahu i trashë dhe i ushqyer mirë i një roje të Hamasit shfaqet pranë trupit të rraskapitur të Evyatarit, i cili ishte detyruar të gërmonte varrin e tij”.
Kundërpërgjigjja ime:
Deri më sot, nuk ka asnjë burim të pavarur që mbështet pretendimin se udhëheqësit e Hamasit po jetojnë në bollëk ndërkohë që popullsia vuan nga uria. Autoritetet amerikane dhe OKB-ja kanë thënë shprehimisht se nuk ka prova që ndihmat humanitare po vidhen apo monopolizohen nga Hamasi. Si mund të ketë prova, e nderuar ambasadore, kur për muaj të tërë keni mbyllur çdo korridor? Nuk keni lënë as ndihmat të hyjnë.
Megjithatë, le ta kthejmë vëmendjen ku duhet. Pse, ta zëmë, nuk flisni për njerëzit që vriten duke kërkuar bukë, në ato raste të rralla kur lejoni qasje në ndihma?
Një hetim i Guardian që analizon provat vizuale, plumbat, të dhënat mjekësore dhe modelet e lëndimeve nga dy spitale, si dhe intervistat me organizatat mjekësore dhe kirurgët, gjatë afërsisht 50 ditëve të shpërndarjes së ushqimit, duket se tregon një model të qëndrueshëm izraelit të të shtënave ndaj palestinezëve që kërkonin ushqim.
Ehab Nuor, një berber 23-vjeçar, është sulmuar nga ushtria izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ushqimit në më shumë se 10 raste.
Pretendimi i saj i gjashtë dhe i fundit:
“Në botën e sotme të gënjeshtrave virale dhe indinjatës së politizuar, e vërteta duhet mbrojtur me guxim. Dhe e vërteta është kjo: nuk ka asnjë uri të qëllimshme të shkaktuar nga Izraeli në Gaza. Por ka një fushatë të orkestruar mbi ‘urinë’. Dhe ka pa asnjë dyshim uritje të qëllimshme të pengjeve izraelite në duart e një regjimi terrorist gjenocidal”.
Kundërpërgjigja ime:
HAHAHAHAHAHA! Agresorët paraqiten si viktima. A jeni me mend, zonja ambasadore? Mbi 60 mijë palestinezë të vrarë dhe mbi 100 mijë të plagosur nga Izraeli, e ju po doni të luani rolin e viktimës?
Jo, e keni gabim. Ju jeni fajtorët. Ju jeni gjenocidalë. E vërteta duhet mbrojtur me guxim. Dhe e vërteta është kjo: ka një uri të qëllimshme të shkaktuar nga Izraeli në Gaza.
Ju jeni shtet gjenocidal. Pikë.