Errët
Ndritshëm

Alonso paralajmëron yjet: S’vrapon, s’luan

16.06.2025
Alonso

Xabi Alonso ka filluar zyrtarisht detyrën si trajner i parë i Real Madridit, duke e zëvendësuar Carlo Ancelottin. Që në ditët e para, tekniku spanjoll ka bërë të qartë filozofinë e tij dhe kërkesat ndaj skuadrës, duke vendosur një standard të lartë disipline dhe angazhimi.

Sipas gazetarit të njohur të Cadena SER, Javier Erráez, Alonso i ka paralajmëruar ashpër lojtarët në prag të ndeshjes së parë zyrtare, që do të zhvillohet më 18 qershor kundër Al-Hilal në Kupën e Botës për Klube.

Trajneri i ri nuk ka lënë vend për interpretim kur ka folur për atë që pret nga skuadra:

Ata që nuk vrapojnë dhe nuk japin gjithçka nga vetja nuk do të luajnë. Emrat nuk kanë rëndësi”, është cituar të ketë thënë Alonso.

Ai ka vënë në pah nevojën që çdo lojtar të jetë i përfshirë në të gjitha fazat e lojës:

Nuk mund të rrish duarkryq duke pritur që të të kalojë topi në mënyrë që të shënosh. Duhet të ndjekësh çdo top.

Deklaratat e tij e konfirmojnë qasjen moderne dhe dinamike të Alonsos si trajner, dhe lënë të kuptohet se te Real Madridi po fillon një epokë e re ku asnjë emër, sado i madh, nuk do të ketë privilegje pa angazhim të plotë në fushë.

Errët
Ndritshëm