Anësori i PSG-së, Khvicha Kvaratskhelia, ka pësuar një lëndim të rëndë në gju në ndeshjen e xhiros së tretë të fazës së ligës në Champions League kundër Barcelonës. Dyshohet për këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior, dëmtim që mund ta mbajë futbollistin gjeorgjian për një kohë të gjatë jashtë fushave.
Kvaratskhelia u largua nga loja në minutën e 59-të, pas kontaktit me mbrojtësin e Barcelonës, Xavi Espart. Anësori nuk mund të mbështetej në këmbën e lënduar dhe u ndihmua nga dy pjesëtarë të stafit të PSG-së për t’u larguar nga fusha.
Fizioterapisti spanjoll Angel Villanueva, i specializuar në rehabilitimin pas dëmtimeve të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe drejtues i një klinike në Majadahonda, komentoi rastin në rrjetin social X. Ai vlerëson se mënyra se si ndodhi lëndimi lë të dyshohet për këputje të kombinuar të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe ligamentit kolateral medial. Sipas tij, rikuperimi mund të zgjasë nëntë muaj.
Edhe mjeku sportiv ukrainas Dmytro Babeluk ndau mendimin e tij, duke dyshuar për këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior.
“Kvaradona e ka këputur ligamentin e kryqëzuar anterior. Do të habitesha shumë nëse bëhet fjalë për diçka tjetër. Mënyra se si ndodhi lëndimi është shumë domethënëse: gjuri i djathtë përkulet nga brenda, duke krijuar një devijim tipik në valgus.
Edhe në pamjet e ngadalësuara shihet se si pjesa e poshtme e këmbës lëviz përpara në raport me gjurin, duke shkaktuar këputjen e ligamentit të kryqëzuar anterior. Nëse lëndimi konfirmohet, ai do të mungojë për një vit. Ky është një goditje e tmerrshme për futbollistin, klubin e tij dhe kombëtaren.
Duke pasur parasysh nivelin dhe rëndësinë e lojtarit, mendoj se do të kryhen ekzaminime shtesë për të parë nëse bëhet fjalë për këputje të pjesshme, si dhe teste të stabilitetit të gjurit. Kjo do të thotë se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që teorikisht mund ta shpëtojnë Khvichan nga operacioni.