Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur se qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit është që Teherani të mos zhvillojë apo të ketë armë bërthamore.
“Qëllimi numër një është dhe do të jetë gjithmonë që Irani të mos mund të ketë, në asnjë mënyrë, formë apo rrethanë, një armë bërthamore”, ka shkruar Trump në Truth Social më 17 gusht.
Deklarata e Trump vjen pas përfundimit të afatit 60-ditor të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më 17 qershor mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve për një marrëveshje më të gjerë.
Megjithatë, brenda këtij afati nuk është arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit. Ndërkohë, qëllimi fillestar i memorandumit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit nuk është realizuar.
Irani ka insistuar vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka qëllime civile dhe se nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore.
Që nga nisja e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit, Teherani e ka bllokuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.