Errët
Ndritshëm

Një hap nga historia: FFK ndez tifozët para sfidës së madhe

31.03.2026

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një mesazh të fuqishëm para ndeshjes vendimtare, duke i bërë thirrje tifozëve që të jenë në lartësinë e momentit historik.

Në deklaratën e saj, FFK thekson rëndësinë e përkrahjes nga tribuna në një ndeshje që mund ta afrojë Kosovën vetëm një hap larg Botërorit.

“Ka momente në histori që nuk përsëriten. Momente që nuk vijnë dy herë dhe nuk të japin luksin e hezitimit. Sonte është një i tillë,” thuhet në reagim.

FFK u bën thirrje tifozëve që të mos qëndrojnë pasivë, por të jenë zëri dhe forca shtytëse e ekipit në stadium.

“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur… Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë.”

Në mesazh vihet në pah se stadiumi nuk duhet të jetë thjesht një vend spektakli, por një arenë ku kombëtarja merr energji nga tifozët.

“Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë… ajo shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel.”

Po ashtu, FFK kërkon respekt ndaj kundërshtarit, sidomos gjatë himneve, duke kujtuar se përballë është një shtet mik.

Megjithatë, pas fillimit të ndeshjes, kërkohet atmosferë e zjarrtë dhe e pandalshme në “Fadil Vokrri”.

“Mos e ndal këngën… sepse energjia nga tribuna është më shumë se atmosferë është presion, është motivim, është avantazh.”

Në fund, mesazhi përmbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë për unitet dhe përkrahje të pakursyer.

“Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit.”

Errët
Ndritshëm