Errët
Ndritshëm

E pamundur të gjesh biletë për ndeshjen Kosovë – Turqi

27.03.2026

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e cila do të zhvillohet të martën, më 31 mars 2026, në Prishtinë.

Përmes një reagimi, FFK ka falënderuar të gjithë tifozët për interesimin e jashtëzakonshëm, duke bërë të ditur se kërkesa për bileta ka tejkaluar kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Si alternativë për ata që nuk kanë arritur të sigurojnë bileta, Federata ka njoftuar se, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizohen aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku ndeshja do të mund të ndiqet përmes ekraneve gjigante.

FFK ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve, si në vend ashtu edhe në diasporë, duke veçuar edhe përkrahjen e madhe në ndeshjen e fundit në Sllovaki.

Sipas Federatës, organizimi i shikimit publik synon krijimin e një atmosfere gjithëpërfshirëse, në mënyrë që çdo tifoz të jetë pjesë e emocionit dhe përkrahjes për Kombëtaren.

Në të njëjtën kohë, FFK ka falënderuar edhe tifozët që siguruan biletat që në fazat e hershme, kur ende nuk dihej nëse ndeshja do të ishte finale apo miqësore, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit ndaj ekipit.

Federata ka shprehur gjithashtu keqardhje që nuk ka mundur t’i përgjigjet gjithë interesimit, duke konfirmuar se nuk ka më bileta në dispozicion.

Në fund, bëhet e ditur se një pjesë e biletave janë shpërndarë sipas obligimeve ndërkombëtare, për mysafirë dhe partnerë, ndërsa numri i tyre ka qenë i kufizuar.

Errët
Ndritshëm