Fitorja e Kosovës që e afron vetëm një hap larg Kampionatit Botëror ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Për këtë sukses ka shkruar edhe mediumi prestigjioz britanik The Guardian, i cili i ka kushtuar një artikull të veçantë rrugëtimit të “Dardanëve”.
“Çdo gjë është e mundur: Kosova një ndeshje larg përrallës së Kupës së Botës”, është titulli i shkrimit që përmbledh historinë dhe momentin aktual të përfaqësueses.
Në artikull përshkruhet rrugëtimi i Kosovës drejt ndeshjes vendimtare për Botërorin, si dhe atmosfera festive pas fitores së madhe në Sllovaki.
Mes tjerash, citohet edhe selektori Franco Foda, i cili bën thirrje për qetësi dhe fokus.
“Kemi tifozë emocionalë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos lejojmë veten të bëjmë gabime. Suksesi arrihet vetëm duke ruajtur qetësinë”, thuhet në deklaratën e tij.
Vend në artikull zënë edhe fjalët e sulmuesit Vedat Muriqi, i cili ka folur për rëndësinë e mundshme të kualifikimit.
Sipas tij, pjesëmarrja në Kupën e Botës përfaqëson kulmin e karrierës së çdo futbollisti, ndërsa për Kosovën tashmë ka mbetur vetëm “një hap i vogël”.
“The Guardian” vë në pah edhe rrugëtimin e shtetit të Kosovës, duke kujtuar shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe anëtarësimin në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, si një histori që e bën këtë sukses edhe më domethënës.