Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë verdiktin final në njërën prej betejave më të nxehta juridike të viteve të fundit, duke shpallur të pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Me një vendim unanim të publikuar këtë të mërkurë (25.03.2026), “Guximi” i presidentes është goditur juridikisht, duke i dhënë frymëmarrje legjislativit.
Gjykata ka qenë e prerë: Dekreti i datës 6 mars 2026, përmes të cilit presidentja Osmani shpërndau Kuvendin pas dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit, nuk prodhon asnjë efekt juridik. Ky vendim vjen pas kërkesave të bashkuara të kryeministrit Albin Kurti dhe deputetes Arbërie Nagavci, të cilët e cilësuan aktin e presidencës si antikushtetues.
Ndonëse Kuvendi “shpëtoi” nga shpërndarja e menjëhershme, Kushtetuesja ka vendosur një afat të rreptë. Sipas pikës III të dispozitivit:
34 ditë kohë: Deputetët kanë saktësisht këtë afat nga sot për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Shpërndarja automatike: Nëse brenda këtij afati dështon zgjedhja e pasardhësit të Osmanit, Kuvendi shpërndahet (sipas Kushtetutës).
Zgjedhjet e parakohshme: Në rast dështimi, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Gjithçka nisi më 5 mars, kur seanca për zgjedhjen e presidentit dështoi, duke pasuar me një lëvizje të shpejtë të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, drejt Kushtetueses. Një ditë më pas, presidentja Osmani, me një ton të ashpër, akuzoi “njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme” dhe e shpërndau Kuvendin.
“Natyrisht qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, por këtë situatë e ka krijuar Kuvendi që ka dështuar për ta kryer detyrën kushtetuese,” – deklaronte Osmani më 6 mars.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranoi këtë akt, duke e quajtur “të paprecedent” dhe duke bojkotuar konsultimet e ftuara nga presidentja. Kryeministri Kurti ishte i qartë: “Nuk mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese“.
Me shfuqizimin e masës së përkohshme të 9 marsit, ky aktgjykim hyn në fuqi menjëherë. Topi tani është në fushën e deputetëve. Kanë mbetur saktësisht 34 ditë për të gjetur një konsensus politik, përndryshe Kosova do t’i drejtohet sërish kutive të votimit në një proces të pashmangshëm zgjedhor.