Paraditen e së hënës ka ndërruar jetë edhe e dyshuara për rastin e rëndë në fshatin Majac të Podujevës, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga kjo ngjarje tragjike.
Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të QKUK-së, të cilët kanë bërë të ditur se, pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra. Më herët gjatë ditës kishte ndërruar jetë edhe vdekja e personit të dytë, ndërsa viktima e parë, një burrë, ishte gjetur pa shenja jete në vendngjarje që mbrëmjen e së dielës.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti fillimisht u raportua të dielën rreth orës 18:40, pas marrjes së informatës se në një veturë në fshatin Majac ndodhej një person pa shenja jete. Njësitë relevante policore, hetuesit dhe forenzika dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipet mjekësore dhe prokurorin kompetent.
Nga veprimet e para hetimore u konstatua se në vendngjarje ndodhej një veturë e tipit “VW”, ngjyrë e bardhë me targa lokale, e cila rezultoi të ishte në pronësi të një personi nga Obiliqi. Ekipet mjekësore konfirmuan vdekjen e personit që ndodhej në automjet.
Policia bëri të ditur se, bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimeve, ekzistonte dyshimi se një grua e armatosur ndodhej brenda një shtëpie dhe refuzonte të komunikonte, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Në këto rrethana u angazhuan Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët ndërhynë në shtëpi dhe vunë situatën nën kontroll.