Spitali i Përgjithshëm i Pejës u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ditëve të festës së Bajramit të konsumojnë ushqimin me masë dhe të ruajnë balancën ushqimore.
“Gjatë festave shijoni ushqimin me masë. Festat janë kohë gëzimi dhe tryezash të pasura, por është e rëndësishme të ruajmë balancën në të ushqyer. Shëndeti varet nga zakonet tona të përditshme,” thuhet në apelin e spitalit.
Të premten, besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Bajrami simbolizon përkushtimin, sakrificën dhe shpirtin human, duke ofruar një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e besimit dhe për të forcuar lidhjet me të afërmit dhe komunitetin.