Errët
Ndritshëm

Prindërit e 5-vjeçarit nga Lipjani në paraburgim, fëmija në gjendje stabile pas operacionit

19.03.2026
Gjykata Themelore Ne Prishtine (2)

Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani, i cili dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht nga prindërit e tij, është pranuar të martën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.

Ai i është nënshtruar një operacioni në Klinikën e Pediatrisë dhe aktualisht ndodhet në gjendje stabile, ndërsa ka filluar t’i rikthehet edhe komunikimi verbal.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se fëmija ka kaluar një periudhë të gjatë në një ambient abuziv dhe se fokusi i institucioneve është mbështetja psiko-sociale. Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, njoftoi se familja ishte nën vëzhgimin e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan që nga viti 2013 dhe se inspektimet në këto qendra do të rriten, duke përfshirë edhe ndërtimin e pesë shtëpive për fëmijë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën prej një muaji paraburgim për prindërit, të cilët dyshohen për veprat penale: “shkelje e detyrimeve familjare” dhe “lëndim i rëndë trupor”.

Errët
Ndritshëm