Errët
Ndritshëm

KFOR: Nuk ka kërcënim nga dronët dhe ushtrimet serbe

19.03.2026
Kfor 2 600x360

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se nuk ka identifikuar asnjë aktivitet të dronëve që mund të ndikojë në sigurinë e vendit.

Më 9 mars, një dron i dyshimtë u gjet mbi pyll në Muçibabë dhe u konfiskua nga Policia e Kosovës. KFOR-i ka njoftuar se ngjarja lidhej me një pjesë të një droni të vetin, i cili kishte humbur gjatë operimeve dimrin e kaluar.

Sipas misionit, KFOR-i ka kapacitete për të zbuluar dhe për t’iu përgjigjur sistemeve ajrore pa pilot, duke përforcuar bashkëpunimin ndërmjet forcave shumëkombëshe të misionit.

Gjithashtu, KFOR-i ka vlerësuar se stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, në territorin e Bujanocit, përbëjnë “aktivitet rutinë” dhe nuk kërcënojnë sigurinë apo stabilitetin në rajon.

“Mund të konfirmojmë se Forcat e Armatosura Serbe kryen një aktivitet të planifikuar trajnimi me parashutistë nga helikopteri në fshatin Muhovc, brenda territorit të Serbisë. Ky aktivitet nuk përbën kërcënim për rajonin”, ka deklaruar KFOR-i.

Misioni monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës dhe vazhdon operacionet për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e OKB-së dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Errët
Ndritshëm