Eksperti financiar, Naser Rusinovci, në rigjykimin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka shprehur çudi se si konsorciumi “Bechtel & Enka” ka punuar në një projekt ku, sipas tij, ka pasur shumë keqpërdorime.
Rusinovci ka vazhduar dëshminë e tij të enjten lidhur me 53 milionë eurot shtesë që Qeveria ia pagoi këtij konsorciumi për ndërtimin e autostradës Prishtinë–Hani i Elezit. Ai u shpreh i habitur me mënyrën e realizimit të projektit. “Nuk e di si ka lejuar ‘Bechtel & Enka’ të punojë me këto keqpërdorime që janë bërë në autostrada”, ka thënë Rusinovci.
Prokuroria Speciale i akuzon për “keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” katër të pandehur: Pal Lekajn, ish-ministër i Infrastrukturës; Eset Berishën, ish-këshilltar i lartë politik; Nebih Shatrin, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës; dhe Besim Tahirin, ish-drejtor i Prokurimit.
Eksperti ka folur edhe për pretendimin kryesor të palëve, se pagesa prej 53 milionë eurosh shtesë është bërë për shkak të vonesave në pagesa nga ana e Qeverisë. “Operatori nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë pranë Ministrisë së Infrastrukturës për vonesat në pagesa në këtë projekt”, ka thënë Rusinovci.
Gjatë seancës, prokurori special Atdhe Dema e ka pyetur për ligjshmërinë e dokumenteve që mundësuan pagesën shtesë. “A mund të lidhet marrëveshje mbi bazën e një kontrate ekzistuese?”, ka pyetur Dema. “Në momentin që lidhet një marrëveshje e re – sidomos në prokurim – kërkohet edhe financim dhe nuk është më pjesë e kontratës së vjetër. Është kontratë krejtësisht e re dhe kërkon linjë të re buxhetore. Është lidhur marrëveshje pa u caktuar vlera”, është përgjigjur Rusinovci.
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me gjithsej 10 vjet e 3 muaj burgim katër të pandehurit. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktgjykimit tashmë të anuluar, Qeveria kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka”, duke injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, e cila kishte rekomanduar pagesë prej vetëm 14 milionë eurosh si dëmshpërblim.
Autostrada Prishtinë–Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro. Ajo është inauguruar në vitin 2019.