Errët
Ndritshëm

Marrëveshje 81 milionëshe për energjinë në Kosovë

18.03.2026
Foto3 720x480

Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 81 milionë eurosh, me synim avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, paketa përfshin një kredi prej 80 milionë eurosh dhe një grant prej 1 milion eurosh, të dedikuara për mbështetjen e zbatimit të reformave në sektorin e energjisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, ndërsa nga Ministria e Financave është theksuar se kjo mbështetje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike.

Sipas komunikatës, marrëveshja synon gjithashtu integrimin më të thellë të Kosovës në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë, si dhe nxitjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme.

Përfaqësuesi i Bankës Gjermane për Zhvillim ka bërë të ditur se ky është programi i parë i këtij lloji për Kosovën, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe integrimit të sektorit energjetik.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës kishte miratuar më herët propozimin për autorizimin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pas rekomandimit të Presidentes së vendit.

Errët
Ndritshëm