FC Barcelona dhe trajneri i saj, Hansi Flick, kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës. Marrëveshja e re me trajnerin gjerman 61-vjeçar do të zgjasë deri në vitin 2028, raporton Diario Sport.
Negociatat, të udhëhequra nga drejtori sportiv i klubit, Deco, kishin nisur që në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, vendimi i Flick-ut për të vazhduar kontratën ishte i kushtëzuar me rizgjedhjen e Joan Laportas si president i Barcelonës. Laporta fitoi votimin e djeshëm, duke marrë 68% të votave.
Njoftimi zyrtar për vazhdimin e kontratës së Flick-ut pritet të bëhet së shpejti. Në verën e vitit 2028, kur edhe skadon kontrata e re, pritet që trajneri gjerman të largohet nga posti i trajnerit të Barcelonës.
Kujtojmë se Flick-u është në krye të Barcelonës që nga viti 2024. Nën drejtimin e tij, “Blaugranat” kanë fituar La Ligën, Copa del Rey dhe dy herë Supercopa de España.