Chelsea F.C. është ndaluar të regjistrojë lojtarë të rinj pasi ka shkelur rregullat e “fair-play” financiar gjatë periudhës kur klubi ishte në pronësi të Roman Abramovich.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2023 u raportua se Chelsea mund të ketë anashkaluar rregullat e “fair-play” financiar duke përdorur struktura offshore të lidhura me ish-pronarin Abramovich. “Blutë” mund të përballen me gjoba dhe madje edhe me zbritje pikësh në Premier League për pagesa ndaj agjentëve të lidhur me transferimet e Eden Hazard dhe N’Golo Kanté, si dhe me biznesmenin rus Suleiman Kerimov për transferimet e Willian dhe Samuel Eto’o. Klubi londinez kishte zhvilluar bisedime me Premier League për të zgjidhur çështjen e kompensimit dhe për të shmangur ndëshkime më të rënda.
Në shtator të vitit 2025, The Football Association (FA) e akuzoi zyrtarisht Chelsean për 74 shkelje të rregullave, që mbulojnë periudhën nga viti 2009 deri në 2022. Sipas gazetarit Ben Jacobs, një panel i pavarur e ka gjobitur klubin me 10.75 milionë funte për shkelje të rregullave të Premier League që lidhen me “raportimin financiar, investimet nga palë të treta dhe zhvillimin e të rinjve” gjatë kohës së Abramovichit në krye të klubit.
Gjithashtu, Premier League ka vendosur që Chelsea të mos nënshkruajë lojtarë të rinj për akademinë për nëntë muaj, ndërsa për skuadrën e parë është vendosur një ndalim i kushtëzuar njëvjeçar për transferime, me një periudhë prove dyvjeçare. Sipas gazetarit Nizar Kinsella, kjo është gjoba më e madhe që ka dhënë ndonjëherë Premier League.
Një ndalim i plotë dyvjeçar për transferime do të kishte qenë i mundur nëse drejtuesit e rinj të klubit nuk do të kishin bashkëpunuar dhe nuk do të kishin pranuar shkeljet e bëra nga pronari i mëparshëm.
Ndalimi për akademinë vlen për lojtarë të të gjitha moshave, nga grupmoshat e reja (U9 e lart), por aplikohet vetëm për lojtarët që vijnë nga klubet e Premier League ose EFL. Ai nuk ndikon në rinovimet e kontratave apo në transferimet e talenteve ndërkombëtare.
Hetimi i FA-së vazhdon ende, ndërsa disa transferime të profilit të lartë përfshirë ato të Eden Hazard, David Luiz, Andre Schurrle, Ramires, Nemanja Matic, Willian dhe Samuel Eto’o janë nën shqyrtim.