Errët
Ndritshëm

50% e shkollave publike në Prishtinë me probleme sigurie

16.03.2026
01 Braktisja E Shkollimit

Rreth 50 për qind e shkollave publike në Prishtinë kanë çështje të sigurisë që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Ky është konstatimi i një raporti të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Komunës së Prishtinës.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se vlerësimi është bërë në 62 objekte shkollore me qëllim identifikimin e rreziqeve që mund të ndikojnë në sigurinë e nxënësve dhe të stafit arsimor.

“Siguria e fëmijëve tanë nuk është vetëm çështje teknike, por përgjegjësi morale dhe institucionale. Do të ketë zero kompromis kur është në pyetje siguria e tyre”, ka deklaruar ai.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, bëri të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë instaluar 156 kamera në hapësira të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa planifikohet edhe krijimi i një qendre monitorimi ku do të integrohen kamerat e shkollave.

Nga Policia u bë e ditur se zyrtarët policorë janë të caktuar nëpër shkolla dhe janë të informuar mirë mbi problematikat e sigurisë.

Ndërkohë, këtë vit në Prishtinë është raportuar edhe një rast i dhunës fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia”, për të cilin Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të shkollës dhe një mësimdhënësi.

Errët
Ndritshëm