Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka folur për statusin e gjuhës shqipe dhe sfidat që lidhen me zbatimin e saj në praktikë.
Në një intervistë, ai tha se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend për shkak se shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë, ndërsa përdorimi i saj rregullohet me Ligjin për Gjuhët, i cili është ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit shqiptar.
Megjithatë, Pendarovski paralajmëroi se ky ligj mund të përballet me një sfidë serioze ligjore. Sipas tij, një qytetar i panjohur për publikun ka dorëzuar një mocion në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që Ligji për Gjuhët të shpallet jokushtetues dhe të shfuqizohet.
“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve. Por tani një qytetar ka paraqitur mocion në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar asgjësimin e këtij ligji. Gjykata tashmë ka planifikuar një seancë dhe do të jetë problem i madh nëse ky ligj shfuqizohet”, deklaroi ai, transmeton Top Channel.
Pendarovski theksoi se një tjetër problem mbetet zbatimi praktik i ligjit, veçanërisht në institucione dhe në sistemin gjyqësor. Sipas tij, edhe pse shqiptarët kanë të drejtë ta përdorin gjuhën shqipe, në shumë raste kjo e drejtë nuk zbatohet plotësisht në institucionet shtetërore dhe në gjykata.
Ai shtoi se miratimi i ligjit nuk duhet të përdoret vetëm si propagandë politike nga partitë, por duhet të sigurohet që të drejtat e garantuara me ligj të zbatohen realisht në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë në vend.