Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se hedhja e mbeturinave inerte (ndërtimore) dhe atyre vëllimore, që përfshijnë mobilje dhe inventar shtëpiak, është e ndaluar në kryeqytet.
Sipas tij, Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
Përmes një njoftimi, Rama bëri të ditur se kryeqyteti tashmë ka përcaktuar lokacionin zyrtar për deponimin e këtyre mbeturinave, i cili është në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve. Ai u bëri thirrje qytetarëve që paraprakisht të kontaktojnë ndërmarrjet “Pastrimi” ose “Gjelbër” përpara se t’i dërgojnë mbeturinat në lokacionin e caktuar.
Gjithashtu, kryetari paralajmëroi masa të rrepta ndëshkuese ndaj personave që thyejnë këto rregulla, duke përfshirë gjobat dhe konfiskimin e automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave.