Errët
Ndritshëm

PDK akuzon Qeverinë: Vendimet e Kurtit po e cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin

14.03.2026
Hamza1

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për vendimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti, lidhur me pajtimin e Qeverisë për të ofruar lehtësira të përkohshme për serbët pa dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.

Sipas PDK-së, me këtë veprim “po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”. Partia thekson se Kurti, me vendimet e tij, ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia lëshon në mënyrë kundërligjore për qytetarët kosovarë.

PDK-ja akuzon kryeministrin se ka zhvilluar negociata pa transparencë dhe larg opinionit publik, duke pranuar publikisht ekzistencën e strukturave paralele serbe dhe duke krijuar kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre.

Partia kërkon që ligjet e Kosovës të zbatohen njësoj për të gjithë, ndërsa strukturat ilegale jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllen menjëherë. Sipas PDK-së, lëshimet e Kurtit janë vazhdim i logjikës së Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, dhe tashmë po sjellin pasoja konkrete në terren, në dëm të interesit shtetëror të Kosovës.

PDK-ja i bën thirrje Qeverisë që të ndërpresë menjëherë politikat e dëmshme, të cilat prodhojnë konfuzion institucional dhe forcojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës.

Errët
Ndritshëm