Errët
Ndritshëm

Nga 15 marsi nisin rregullat e reja: Çka duhet të dinë shtetasit e huaj dhe pronarët e makinave me targa të huaja?

14.03.2026
Mpb, Ministria E Punëve Të Brendshme 1 Shënjestër.net

Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në Kosovë pritet të fillojë më 15 mars, ndërsa përfaqësues nga komuniteti serb kanë kërkuar shtyrje të afatit dhe më shumë informim për qytetarët.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka nisur një fushatë vetëdijësuese për shtetasit e huaj që planifikojnë të qëndrojnë në Kosovë dhe për personat që qarkullojnë me vetura me targa të huaja. Përfaqësues të ministrisë kanë zhvilluar takime me organizata dhe qytetarë, si dhe kanë vizituar pika kufitare për të shpjeguar rregullat e reja.

Sipas ligjit, shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Kosovë deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh pa vizë. Në rast të qëndrimit më të gjatë, ata duhet të pajisen me dokumente përkatëse nga institucionet kosovare.

Ndërkohë, një veturë e regjistruar jashtë Kosovës mund të qarkullojë në vend deri në tre muaj nga data e hyrjes. Edhe qytetarët e Kosovës që vozisin vetura me targa të huaja mund t’i përdorin ato deri në tre muaj, por duhet të kenë të rregulluar lejen e qëndrimit në shtetin përkatës.

Megjithatë, disa përfaqësues të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut kanë shprehur shqetësime për zbatimin e ligjeve. Dushan Radakoviq nga OJQ “ACDC” ka deklaruar se institucionet nuk kanë bërë informim të mjaftueshëm për qytetarët dhe ka kërkuar shtyrjen e zbatimit për të paktën gjashtë muaj.

Nga ana tjetër, avokati Alban Arifi ka theksuar se qytetarët që dëshmojnë se kanë jetuar në Kosovë për më shumë se pesë vite mund të përfitojnë leje qëndrimi të përhershme, ndërsa në rast refuzimi kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatave.

Errët
Ndritshëm