Sipas La Gazzetta dello Sport, Juventusi ka nisur kërkimin për përforcime në sulm për sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, është përmendur si një nga kandidatët kryesorë në listën e dëshirave të klubit. Bardhezinjtë e shohin veteranin polak si një sulmues me përvojë të madhe që mund t’i bashkohet skuadrës me parametra zero.
Ndonëse Lewandowski ka shfaqur interes për një kalim të mundshëm në Torino, një vendim përfundimtar është ende larg. Ai ka marrë oferta joshëse edhe nga klubet e MLS, ndërkohë që kërkesat e tij për pagë mund të kalojnë buxhetin e parashikuar nga klubi italian.
Përveç polakut, skautët e Juventusit po monitorojnë edhe talentin e ri Bendeguz Kovac nga AZ Alkmaar. Hungarezi 18-vjeçar ka rënë në sy me 9 gola të shënuar në vetëm 6 ndeshje në UEFA Youth League. Klubi holandez është i hapur për një marrëveshje rreth 5 milionë euro, por konkurrenca është e fortë nga Borussia Dortmund, Aston Villa dhe Sporting CP.
Robert Lewandowski do të jetë lojtar i lirë në verën e vitit 2026, kur edhe i përfundon kontrata me Barcelonën. Ai iu bashkua gjigantëve katalanas në vitin 2022 nga Bayern Munich për shifrën e 45 milionë eurove.