Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Arbër Kabashit, i akuzuar për kanosjen e ish-ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e caktuar për sot (12.03.2026) në Gjykatën e Prishtinës, u ndërpre. Arsyeja ishte mungesa e avokatit të të akuzuarit, mbrojtja e të cilit sipas ligjit është e detyrueshme për këtë vepër penale.
Kabashi deklaroi se nuk ishte në dijeni të nevojës për mbrojtje ligjore dhe njoftoi se do të autorizojë një avokat për seancën e radhës, e cila u caktua për muajin prill. Në seancë ishte e pranishme prokurorja Vesa Maloku, ndërsa i dëmtuari nuk mori pjesë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë (11.07.2023), më 18.04.2023, Kabashi e ka kanosur Çekun para Ministrisë së Kulturës në sheshin “Nënë Tereza”. Sipas dosjes, ai i ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën pas një kontesti lidhur me një projekt për ndërtimin e një fushe sportive. Para takimit, ai i kishte dërguar mesazhe telefonike, ndërsa gjatë ballafaqimit e kishte ofenduar me fjalë të rënda, duke i thënë: “Shihemi unë dhe ti, e sheh çka ka me të ba”.
Prokuroria e akuzon Arbër Kabashin për veprën penale të “Kanosjes”.