Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, e ka një “makth” dhe ai, sipas tij, është Kosova.
Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama ka hedhur poshtë pretendimet e Vuçiqit për një aleancë ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke i cilësuar ato si të pabaza.
Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave të Vuçiqit për gjoja ambicie “neo-osmane” të Turqisë në rajon. Rama përmendi një projekt restaurimi të një xhamie të vogël në Shqipëri nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), i cili sipas tij është vonuar.
“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, ka thënë Rama.
Deklarata e tij vjen si përgjigje ndaj një qëndrimi të mëhershëm të Vuçiqit, i cili kishte akuzuar Turqinë se “ëndërron Perandorinë Osmane”, pas shitjes së dronëve “Skydagger” për Kosovën. Më pas ai kishte pretenduar gjithashtu se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara po armatosin Kosovën, duke e paraqitur atë si kërcënim për Serbinë.
Rama i ka quajtur të pabaza edhe akuzat e Vuçiqit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po krijojnë një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë.
“Presidenti Vuçiq është dikush me njohuri të mëdha dhe intuitë të fortë, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, ka deklaruar Rama.
Megjithatë, kryeministri shqiptar theksoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve, Vuçiq mbetet një lider me të cilin mund të zhvillohen bisedime dhe bashkëpunim për çështje të përbashkëta.
Në fund, Rama nënvizoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën.
“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, është shprehur Rama.